ODIHR për financimin e partive politike: Duhen rregulla më të forta për donacionet dhe transparencën
ODIHR vlerëson pozitivisht projektligjin e ri për financimin e partive politike në Shqipëri, por kërkon më shumë transparencë për donacionet, financimet nga palë të treta dhe forcim të mekanizmave të kontrollit dhe sanksioneve.
ODIHR: Projektligji sjell përmirësime të rëndësishme
Sipas opinionit urgjent të ndërmjetëm të ODIHR-it, projektligji për financimin e partive politike krijon një kuadër më të plotë për rregullimin e financimit politik në Shqipëri, duke përfshirë raportimin financiar, auditimin, publikimin e të dhënave dhe mbikëqyrjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Dokumenti evidenton se nisma synon të konsolidojë rregullat ekzistuese që aktualisht trajtohen në Ligjin për Partitë Politike dhe në Kodin Zgjedhor. Sipas ODIHR, ky objektiv është pozitiv dhe mund të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.
Raporti vlerëson si risi të rëndësishme krijimin e një platforme elektronike për raportim në kohë reale, kufizimet më të forta për transaksionet cash, zgjerimin e kompetencave të KQZ-së dhe mekanizmat e rinj të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm.
Kërkohen rregulla më të qarta për donacionet
Megjithatë, ODIHR thekson se projektligji ka ende boshllëqe që mund të krijojnë hapësira për shmangie të ligjit, veçanërisht në lidhje me financimet nga palë të treta, kontributet indirekte dhe përdorimin e personave ndërmjetës.
Institucioni rekomandon ndalimin e qartë të donacioneve të bëra në emër të personave të tjerë, si dhe publikimin e profesionit dhe punëdhënësit të çdo donatori. Po ashtu kërkohet transparencë mbi pronësinë përfituese të kompanive që financojnë partitë politike.
Sipas raportit, duhet të ketë rregulla më të detajuara edhe për huatë ndaj partive politike, përfshirë raportimin e kushteve të huasë, statusin e shlyerjes dhe çdo falje apo ristrukturim borxhi.
Roli i KQZ-së dhe nevoja për kapacitete më të forta
ODIHR nënvizon se efektiviteti i ligjit do të varet në masë të madhe nga kapacitetet financiare, teknike dhe hetimore të KQZ-së. Raporti thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ketë burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për të menaxhuar sistemet digjitale të raportimit dhe për të kryer verifikime të plota.
Gjithashtu, ODIHR kërkon mekanizma më të fortë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe qartësim të kompetencave hetimore të KQZ-së ndaj palëve të treta që lidhen me financimin politik.
Rekomandime për sanksione më të forta
Raporti rekomandon zgjerimin e listës së sanksioneve për të mbuluar të gjitha shkeljet e parashikuara në projektligj, përfshirë marrjen e donacioneve nga burime të ndaluara. Po ashtu kërkohet që gjobat për tejkalimin e kufijve të donacioneve të jenë proporcionale me shumën e shkeljes.
ODIHR kërkon gjithashtu rregulla më të qarta për pjesëmarrjen në zgjedhje në rastet kur partitë kanë detyrime financiare të pashlyera, si dhe garanci për shmangien e zbatimit arbitrar të penaliteteve.